DPS
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit
Phone: +355 4 222 62 55
E-mail: info@dps.gov.al
Address: Address: "Reshit Collaku" Str., (nearby ILDKPKI, VI floor), Po.Box 98, Tiranë - Albania
Main menu

Mbrojtja e rrjetit elektrik nga sulmet kibernetike

Me rritjen e kërkesës për përdorimin e energjisë elektrike, rritet edhe nevoja për përdorimin e teknologjive dixhitale, të cilat shërbejnë për të menaxhuar furnizimin me të. Mbrojtja e rrjetit të energjisë elektrike me anë të sigurisë kibernetike asnjëherë më përpara nuk ka qenë më e domosdoshme se sot.

Kërkesa për energji elektrike nga bizneset po rritet, e nxitur nga rritja ekonomike dhe përdorimi i mënyrave më miqësore me mjedisin për prodhimin e energjisë për të përmbushur objektivat klimatike. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), kërkesa ndërkombëtare për energji elektrike në 2024 dhe 2025 pritet të jetë më e larta në disa dekada dhe energjia diellore pritet të përmbushë gjysmën e kërkesës.

Për të përmbushur kërkesën, kompanitë e prodhimit të energjisë po dixhitalizohen gjithnjë e më shumë, por ato gjithashtu janë gjithnjë e më shumë të rrezikuara nga sulmet kibernetike.

Duke njohur kompleksitetin në rritje të teknologjisë së informacionit (IT) në kompanitë e prodhimit të energjisë dhe nevojën për t'i mbrojtur ato, komiteti i përbashkët IEC dhe ISO për sigurinë kibernetike, SC 27, sapo kanë përditësuar standardin ndërkombëtar, i cili është hartuar për të ndihmuar këto kompani.

Standardi ISO/IEC 27019, Teknologji informacioni - Teknikat e sigurisë - Kontrollet e sigurisë së informacionit për industrinë e shërbimeve të energjisë, zgjerohet me specifikime teknike për kontrollet dhe masat e sigurisë së informacionit të përcaktuara në standardin ISO/IEC 27002 për të përmbushur nevojat specifike të sistemeve të kontrollit të procesit dhe teknologjisë së automatizimit të përdorura nga rrjetet kombëtare. Ato përfshijnë aspekte të tilla si: teknologjia e monitorimit dhe automatizimit, kontrolluesit dixhitalë, pasqyrimi i vizualizimit të të dhënave, teknologjia e komunikimit si rrjetet dhe teknologjia e telekomandimit, sistemet e mbrojtjes dhe sigurisë dixhitale dhe shumë më tepër.

Ky standard u përditësua së fundmi për të përfshirë teknologjitë më të fundit dhe tendencat e tregut.

Standardi është një nga shumë standarde të fushës të sigurisë kibernetike, që ndihmojnë organizatat të mbrojnë të dhënat e sistemeve të tyre. Ai gjithashtu plotëson standardin ISO/IEC 27001 për zbatimin dhe mirëmbajtjen e një sistemi të menaxhimit të sigurisë së informacionit (ISMS).